Punonjësi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Taulant Manaj, i denoncuar mbrëmë nga emisioni “Stop” në Tv Klan është shkarkuar nga detyra.
Shkarkimi është bërë me urdhër të ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili veç shkarkimit, ka urdhëruar edhe denoncimin e këtij rasti pranë organeve të drejtësisë për ndjekje të mëtejshme.
Në emisionin “Stop” u paraqitën prova se si inspektori i Mjedisit merrte 3 mijë euro për të dhënë një licencë mjedisore për një lokal. Pas pamjeve filmike, ku një sekser shfaqej duke numëruar paratë, të cilat thotë se do ia çonte inspektorit me emrin Taulant, ministri i Mjedisit ka urdhëruar edhe Auditin e brendshëm të kontrollojë të gjitha procedurat e pajisjes me leje mjedisore të subjekteve pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, në Tiranë.





