Reperi Besart Kelmendi, i njohur me emrin e artit “Gjesti”, është liruar nga paraburgimi vetëm një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë, raportojnë mediat vendase.

Ai ishte ndaluar fillimisht nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje” dhe kishte qëndruar 48 orë në mbajtje.

Prokuroria kishte kërkuar një muaj paraburgim, duke ngritur akuza për “kanosje”, “asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Megjithatë, pas një jave, masa e sigurisë është ndryshuar dhe Kelmendi vazhdon procedurat në gjendje të lirë.

Dëshmia e reperit

Gjesti ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë lidhur me incidentin që ndodhi në ambientet e studios “Onima”, duke deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në një gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për situatën. Ai ka thënë se gjithçka ka ndodhur në një moment të vështirë emocional:

“Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit dhe palës së dëmtuar,” ka deklaruar reperi gjatë seancës.

Avokati i tij, Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe se reagimet impulsive zakonisht nuk përsëriten. Ai ka shtuar se klienti është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Vendimi i gjykatës dhe detajet e incidentit

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që Gjestit t’i caktohet paraburgimi për një muaj, duke argumentuar ekzistencën e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, si dhe rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës. Masa e paraburgimit ishte e parashikuar nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.

Gjatë arrestimit, tek Kelmendi është sekuestruar një armë Radikal RP-X9 me një karikator dhe 14 fishekë. Incidenti ndodhi më 11 mars 2026, rreth orës 14:50, në ambientet e studios “Onima” në Veternik të Prishtinës.

Dëshmitarët raportuan se reperi hyri në objekt duke kërkuar drejtorin e kompanisë, E.Sh., dhe kërcënoi se do të thyejë kompjuterët dhe pajisjet nëse pronari nuk paraqitej. Në një moment, ai ka goditur një kompjuter, ka thyer disa xhama dhe ka mbajtur armën për një kohë të shkurtër. Stafi deklaroi se Gjesti u shpreh me fjalët: “ku o se kam me vra”.

Policia konfirmoi arrestimin e tij më 11 mars 2026, ndërsa Prokuroria njoftoi se ai u ndalua për 48 orë nën dyshimin për tri vepra penale: kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës.

Sipas mediave vendase, shkaku i incidentit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje rreth një borxhi paraprak, e cila çoi këngëtarin drejt një reagimi të dhunshëm në ambientet e kompanisë.