TIRANE, 01 prill 2013– Sektori i Hetimit të Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kavajës, kanë nisur hetimet dhe verifikimet e pasurive të një 33-vjeçari, i cili rezulton të jetë arrestuar për trafik droge në Itali. Burime nga Policia e Tiranës thanë se është regjistruar procedimi penal me akuzën e “pastrimit të produktit të veprës penale, ose i veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasit Zenel Hasan Helshani, lindur në Durrës e banues në Kavajë.

Helshani, 33 vjeç, rezulton të jetë arrestuar nga Policia italiane, në muajin korrik të vitit 2012, me akuzën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burimet thanë se nga të dhënat paraprake të siguruara deri tani nga ana e oficerëve të Hetimit të Aseteve Kriminale, dyshohet se ky person, me paratë e siguruara nga aktiviteti kriminal në Itali, ka investuar në Shqipëri në biznese dhe pasuri të paluajtshme, në emër të tij, por edhe të familjarëve dhe të afërmeve, me qëllim pastrimin e parave “të pista”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ka kryer disa verifikime për të zbuluar fillimisht bizneset që figurojnë në emrin e vetë të arrestuarit Zenel Helshani dhe më pas në emër të familjarëve të tij. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se paraprakisht nga verifikimi i bërë rezultojnë dy biznese të regjistruara në emrin e të arrestuarit Helshani. Të dy bizneset kanë si veprimtari kryesore peshkimin dhe tregtimin e këtij produkti dhe janë të regjistruara në QKR.

Njëri rezulton i regjistruar në lagjen Nr.2, brenda territorit të Porit të Durrësit, i përcaktuar “Zënie dhe tregti peshku”, me status aktiv dhe tjetri me adresë Lagjja Nr.2, i përcaktuar “Peshkim”, po ashtu me status aktiv dhe me qendër në fshatin Spille të Kavajës. Burimet thanë se, nisur nga ato që janë konstatuar deri tani, për të bërë të mundur verifikimin, identifikimin dhe dokumentimin e pasurive të paluajtshme, të luajtshme apo aktivitetet e biznesit që ky person apo familjarët e tij kanë në pronësi, si dhe për të provuar nëse këto pasuri janë siguruar apo jo nga veprimtari kriminale, do të kryhen edhe verifikime më të detajuara. Policia po verifikon aktualisht edhe disa prona në bregdetin e Kavajës.