Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar, Roberto Mazzarella, i konsideruar si drejtues i një grupimi të Camorra. Sipas mediave italiane, ai u arrestua në një resort luksoz në Vietri sul Mare, në provincën e Salerno, ku çmimi i qëndrimit arrinte rreth 1,000 euro nata. Policia arriti ta lokalizojë dhe ta ndalojë pa hasur rezistencë.

Mazzarella, i lindur në vitin 1978, ishte pjesë e listës së personave më të rrezikshëm në arrati të publikuar nga Ministria e Brendshme italiane. Ai ishte në kërkim që prej 28 janarit 2025, pasi kishte shmangur arrestimin pas një urdhri paraburgimi të lëshuar nga Gjykata e Napolit, me kërkesë të Drejtoria Antimafia e Napolit. Akuzat ndaj tij përfshijnë vrasje të rënduar me metoda mafioze.

48-vjeçari u gjet në një vilë luksoze në zonën e Bregut te Amalfit, ku dyshohet se ishte regjistruar me identitet të rremë për të kaluar festën e Pashkët së bashku me familjen.

Gjatë kontrollit në ambientet ku qëndronte, karabinierët sekuestruan tre ora luksoze, rreth 20 mijë euro cash, dokumente të falsifikuara, telefona inteligjentë dhe materiale të shkruara me dorë, që dyshohet se lidhen me një sistem të brendshëm kontabiliteti kriminal dhe që tashmë janë pjesë e hetimeve. Operacioni u realizua nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Napolit, nën koordinimin e Drejtoria Antimafia e Napolit.