Një 46-vjeçare nga Irani, e arrestuar në kushtet e flagrancës gjatë tentativës së saj për të udhëtuar drejt Francës kërkoi ndihmë nga drejtësia me argumentin se përndiqej nga regjimi i shtetit të saj për shkak të profesionit si gazetare.

Dy muaj mbas prangosjes, iraniania Lejla Bagerza Dekavari këmbënguli në Gjykatën e Apelit se u largua nga Irani mbas kërcënimeve për jetën jo vetëm për shkak të profesionit, por edhe refuzimeve për t’u mbuluar.

Veç kësaj e dyshuara u prezantua si një mbështetëse e grave që u detyrua të braktisë atdheun për një jetë më të mirë në Evropë. Por përveç rrëfimit prekës, 46-vjeçarja nuk depozitoi asnjë provë bindëse për gjykatën. Me një dokument të falsifikuar dhe nën identitet çek, mbasi kishte mbyllur udhëtimin Tehran – Stamboll, Lejla tentoi të kalojë tranzit përmes Tiranës duke patur si destinacion Francën.

E dyshuar për falsifikim dokumentash, Lejla këmbënguli se si ajo edhe prindërit e saj kërcënohen nga regjimi. Avokati mbrojtës i gruas i caktuar nga shteti këmbënguli se mbasi iraniania ia doli mbanë të lërë rregjimin mbas krahëve, 46-vjeçares i duhet të përballet me burgun në Shqipëri, një deklaratë e cila u konsiderua nga gjykata e pabazuar. Gjykata e Apelit shprehet se e dyshuara kishte planifikuar të udhëtonte drejt Bashkimit Europian me dokumenta false dhe nëse asaj i ndryshon masa e sigurisë, ekziston mundësia e arratisjes edhe nga Shqipëria. /TCH