Është goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës për shtetasit e huaj, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, goditën një tjetër rast.
Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit GJ. M., 47 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në autostradën Elbasan-Tiranë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, kundrejt fitimit, 5 shtetas, emigrantë të paligjshëm. Për të shmangur shoqërimin në ambientet e Policisë, ky shtetas ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë dhe ka dëmtuar mjetin e Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.





