Policia e Durrësit ka arrestuar edhe personin e tretë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, të zhvilluar më 14 qershor në Plazh, ku dy veta u kapën në flagrancë me 10 kg kanabis sativa, një armë zjarri dhe disa fishekë.
Në sajë të një hetimi të pandërprerë, policia ka bërë të mundur dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij operacioni, duke vënë në pranga 25-vjeçarin në kërkim, Eridon Kapllani, banues në Durrës.
Dy të arrestuarit e tjerë janë Arjan Tabaku 49 vjeç, banues në Krujë dhe Romin Davidhi 28 vjeç, banues në Durrës, i cili është punonjës në Komandën e Forcave Detare.
Arrestimi tyre u bë pasi më 14 qershor, në lagjen nr. 13, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Fiat”, me targa AA 799 LB, me drejtues Tabakun, u gjetën dhe u sekuestruan:
•rreth 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa;
• një trup pistolete bashkë me tytën;
• fishekë të kalibrit 7.62 mm;
• mjeti tip Fiat me targa AA 799 LB;
• mjeti tip Fiat me targa AA 078 GP;
• katër aparate telefoni celularë.





