Operacioni i koduar me emrin "Rruga e Hapur" përfundoi me katër të arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa sot gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg pa afat për tre prej tyre dhe burg me afat 35 ditor për njërin nga të arrestuarit.

Gjykata vendosi arrest me burg për Nardi Malaj, Jozef Ndoci dhe Aurel Tanushi, ndërsa për Dod Dodani u dha masa arrest me burg, në afat 35 ditor. Ky  i fundit është anëtar i Këshillit Bashkiak në Vaun e Dejës.

Ata u prangosën në aksin Lezhë-Shkodër me 27 shkurt, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan 100 kg lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në pjesën e mbrapme të makinës së tyre "Audi" të parkuar në një pikë karburanti jofunksionale u gjetën 100 kilogramë lëndë e dyshuar marijuanë në 7 thasë të zinj plastikë e mbuluar me çarçafë. Po ashtu në makinë u gjetën edhe dy mostra lënde të dyshuar marihuanë rreth 67 gram.

Në shtëpinë e shtetasit Dodani u gjet lëndë e dyshuar narkotike 42,2 gram si dhe fara gjithashtu të dyshuara të bimëve narkotike 179,8 gram. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua e tërë lënda e gjetur, dy automjete "Audi" dhe "Merzedes" si dhe katër telefona celularë. Materialet procedurialë i kaluan Prokurorisë së Shkodrës.