Një grup prej katër gazetarësh kanë rënë në prangat e policisë për shpërndarje ekstazie. Sipas informacioneve, ata janë Ergis Noka, Drin Vjerdha, Kristofor Pandelejmoni dhe Mario Çerra, të cilët punonin si gazetarë në një portal lajmesh.

Ergis Noka është djali i Naim Nokës, pronarit të portalit “Publik.al”.

Ata kishin një zyrë në zonën e ish-Bllokut, të cilën e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike. Kryesisht aktivitetin e ushtronin në zonën e ish-Bllokut. Gjatë kontrollit në zyrat e portalit janë gjetur dhe pajisje që përdoren për kultivim kanabisi.

Grupi hetimor ka dyshime se të arrestuarit kultivon drogë në vende të tjera. Sa i takon ekstazisë dyshohet se ata e siguronin përmes Kosovës dhe Serbisë.

Çmimi i ekstazisë shitej 1 mijë lekë më shumicë kurse 1 tabletë e vetme kushtonte 3 mijë lekë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë:

“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Drug party”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. N., 18 vjeç, D. V., 18 vjeç, K. P., 19 vjeç, dhe M. Ç., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në rrugën “Pjetër Bogdani”, shtetasit e larpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 300 tableta të dyshuara narkotike e llojit ekstazi (MDMA). Gjithashtu gjatë kontrollit të dyqanit të shtetasit E. N., në rrugën “Pjetër Bogdani”, u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoren për kultivimin të lëndës narkotike kanabis.”