Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, evidentohen dhe goditen 2 raste të tjera.
Arrestohen 2 shtetas pasi u kapën në flagrancë në 2 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë zbuluar 2 lokale ku ushtrohej kjo veprimtari.
Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit L. J., 27 vjeç, dhe A. H., 31 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularët që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.