Policia italiane kap në trafik kokaine 3 shqiptarë, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur dëbimin e menjëhershëm dhe Zyra e Imigracionit ekzekutoi dje urdhrin për shoqërimin me forcë në kufi të tyre.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin hyrë ilegalisht në Itali, ndërsa u arrestuan me një sasi 100 gramë kokainë në Rimini.
Më 16 shtator, tre shqiptarët u arrestuan në flagrancë nga Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Riminit për posedim të drogës, e ndarë në doza dhe 700 eurove në para të gatshme me qëllim shpërndarjen e tyre.
Më pas, të tre burrat u çuan në Burgun e Riminit dhe u urdhëruan të paraqiteshin në Policinë Gjyqësore kompetente. Gjatë procesit gjyqësor dhe dënimit të tyre, u vendos edhe dëbimi i menjëhershëm.
Në fund të procesit administrativ, Prefekti i Riminit lëshoi një urdhër dëbimi për secilin prej tre shqiptarëve.
Sipas medias italiane, ata janë përcjellë dje nga aeroporti i Ankonës drejt Tiranës. Tre burrave iu ndalua gjithashtu rihyrja në Itali për tre vjet nga Prefekti.





