Banorët e pallatit 783 në lagjen nr.5 në Durrës kanë protestuar mëngjesin e sotëm pasi kërkojnë ekspertizë të thelluar për objektin e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Godina në të cilën banojnë 40 familje është klasifikuar DS4, mirëpo banorët thonë se pavarësisht këtij fakti, ata ende nuk e dinë se çfarë do ndodhë me pallatin, nëse do shembet apo do të restaurohet.

“Ne jemi me qira, kemi ikur nga pallati. Është i dëmtuar, i pabanueshëm”, thotë një banor.

“Dëmtimi i pallatit është i shkallës DS4. Nga momentet e para që ne kemi bërë të gjithë letrat dhe deri më sot kanë kaluar 9 muaj, nuk kemi parë njeri që të vijë të bëjë vlerësimin e pallatit, në ç’gjendje është që dhe në të dimë se çfarë do të bëhet. Kanë ardhur e kanë parë nga ana e jashtme, nga brenda nuk e kanë parë fare. Ne duam të vijnë ta shikojnë edhe nga brenda dhe të na thonë, nëse do të shembet apo do të riparohet, që dhe ne të marrim masat tona.”, shprehet një tjetër.

Një qytetare, banore e këtij pallati thotë para mediave se “nuk ka ardhur asnjë për studim të thelluar. Ne kemi vajtur nga komuna në bashki për një përgjigje.”

Për rastin në fjalë, Bashkia e Durrësit bën me dije se janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës së Insitutit të Ndërtimit.

Burimet nga bashkia sqarojnë për “DurrësLajm” se 28 familje të këtij pallati kanë aplikuar për bonusin e qirasë, nga të cilët 27 e kanë përfituar ndërsa për të 28-tin pritet të miratohet vendimi në Këshillin Bashkiak pasi ka aplikuar pas përfundimit të afatit.

Pjesa tjetër e banorëve të pallatit nuk kanë aplikuar për të përfituar bonusin e qirasë.