Autoritetet angleze u kanë konfiskuar pasaportat më shumë se 1200 tifozëve huliganë, duke i ndaluar që të fluturojnë drejt Rusisë. Lajmin e ka konfirmuar me një qëndrim zyrtar ministri i brendshëm britanik, Nick Hurd.“U kam ndaluar hyrjen në Rusi më shumë se 1200 tifozëve, me precedentë dhune nëpër stadiume.
Kupa e Botës është një festë e futbollit dhe nuk ka hapësira për dhunë dhe trazira.”Në total, policia britanike u ka marrë pasaportat 1254 personave, të cilëve do t’u kthehet mjeti i identifikimit, i domosdoshëm në raste udhëtimesh jashtë vendit, vetëm pasi të përfundojë Botërori. Masat e autoriteteve angleze janë marrë për të shmangur përplasjet e mundshme mes Londrës dhe Moskës, që kanë kulmuar me akuza dhe kundërakuza për rastin “Skripal”. Edhe forcat e sigurisë në Rusi janë angazhuar maksimalisht për të përballuar çdo rrezik që mund të vijë nga sjellja e dhunshme e tifozëve, aq më tepër nëse ata janë anglezë.





