Parlamenti ka miratuar me 140 vota reformën në drejtësi, më e rëndësishmja e këtij 10-vjeçari. Për liderët politikë ky është një moment historik, ashtu si edhe për qytetarët shqiptarë që presin drejtësi.
Megjithatë reforma nuk ka arritur të kalojë deri në mesnatën e afatit të përcaktuar. Tashmë ajo do të mbajë datën e 22 korrikut.
Kryeministri Edi Rama ashtu si edhe në fjalën e mbajtur në parlament, tha se me miratimin e kësaj reforme u plotësuar dëshira e shumicës së shqiptarëve.
“U KRY! Shumë faleminderit të gjithëve! U plotësua dëshira e 93% të shqiptarëve që e donin këtë reformë #Rilindje #KrenarPërPS Natën e mirë”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka quajtur një fitore të shqiptarëve.
“Kemi kaluar ditë, javë e muaj të gjatë. Reforma në drejtësi që sot u miratua me të gjitha votat është një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit evropian. Urime shqiptarëve, kjo është fitorja juaj”, tha Basha ndër të tjera.
Basha falënderoi të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë për reformën, veçanërisht ambasadorët Lu dhe Vlahutin.





