Nuk e ka mirëpritur aspak mirë lënien e tij jashtë listave të kandidatëve për anëtar të Kryesisë së PD-së.

Fjala është për deputetin e qarkut të Korçës Hekuran Hoxhalli, i cili përmes një reagimi në rrjetin social shkruan në “kod” dhe me nënkuptime për lënien e tij jashtë kryesisë, ashtu si dhe disa prej kolëgëve të tij.

Hoxhalli thotë se politika është arti i të pamundurës, por kur kjo e fundit prodhon vetëm fjalë që më pas i merr era, pjesa e “artit” humbet për t’i lënë vendin vetëm të pamundurës, qorrsokakut dhe mungesës së frymëzimit.

Reagimi i deputetit Hekuran Hoxholli:

Sot më takonte t’i bëja një urim Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili nesër zgjedh kryesinë dhe ekzekutivin e Partisë, ndaj nisa të bëj këtë status. Por mendja më vajti si padashje tek politika dhe kuptimi i saj për njerezit.

Politika është arti i të pamundurës. Ky është një nga përkufizimet më konçize për politikën. Siç e kuptoj unë, kjo do të thotë se politika ka aftësinë të gjejë zgjidhje edhe atje ku gjendja është e pashpresë, të frymëzojë në kulm të dëshpërimit, të ngrejë në këmbë nga buza e varrit. Këtë bën politika, kur njihet dhe perceptohet si arti i të pamundurës. Por kur politika, në vend të zgjidhjes, prodhon qorrsokak, në vend të frymëzimit, mbjell dëshpërim dhe në vend të ngritjes peshë, veç gjunjëzon, atëherë ajo nuk është më art, por është thjesht e pamundur.

Njerëzit gjithmonë vlerësohen nga veprat e tyre, jo nga ëndrrat, as nga ambicjet. Më të zotët, më të mirët, më të fortët dhe më të mençurit janë ata që ëndërrat i bëjnë realitet, që ambicjet i kthjejnë në vepra. Ata që ëndërrat dhe ambicjet i konvertojnë vetëm në fjalë dhe fjalët pastaj ia falin erës, ata nuk prodhojnë dot vepra, por veç iluzione.

Të dish të vlerësosh është një gjë shumë e mirë. Por është akoma më mirë të dish të bësh llogari. Më e mira është të dish të matësh. Në politikë, kjo është një dhunti që shumë pak veta e kanë. Ata që e kanë janë bekim për pasuesit, mbështetësit dhe simpatizantët.

Këto mendime më ngjalli kjo pragmbledhje e Keshillit Kombëtar të PD-së dhe mendova t’i ndaj me të tjerë. Ndoshta ka dhe të tjerë që i shohin gjërat, siç i shoh unë.

Suksese Keshillit kombetar te PD!