Ish-oligarku rus Mikhail Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i Rusisë përpara se të ndeshej me presidentin rus Vladimir Putin, pretendon se Putin u largua nga Moska gjatë rebelimit të udhëhequr nga shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.
Ai i tha Newsweek se si zbuloi përmes një prej kontakteve të tij se Putin u largua nga Moska me aeroplan gjatë rebelimit të dështuar, dhe me shumë mundësi shkoi në rezidencën e tij në Valday midis rajoneve Tver dhe Novgorod.
Mungesa e dukshme e Putinit gjatë kryengritjes ka nxitur spekulime rreth vendndodhjes së tij.
Khodorkovsky, 60 vjeç, drejtoi kompaninë energjetike Yukos përpara se të kalonte një dekadë në burg në Rusi, për ato që kritikët thanë se ishin akuza të motivuara politikisht.
Ai ishte një nga mbështetësit më të hershëm të ndryshimeve demokratike në Rusi, duke kritikuar korrupsionin endemik në një takim televiziv me Putinin në fillim të vitit 2003.
Edhe pse u fal në vitin 2013, ai është ende një nga kritikët kryesorë të regjimit.
“Ne e ndoqëm Putinin në atë moment. Dhe duket se ai me të vërtetë u largua nga Moska dhe me shumë mundësi shkoi në rezidencën e tij në Valdai”, tha Khodorkovsky nga Londra, ku jeton sot.
Një media e pavarur investigative në gjuhën ruse, raportoi në janar se sistemi i mbrojtjes ajrore Pantsir-S1 ishte vendosur pranë një rezidence në Valday, për shkak të sulmeve me dronë brenda territorit rus. Rezidenca përshkruhet si “një vend argëtimi personal për Putinin, të afërmit dhe miqtë e tij”.
Khodorkovsky deklaron se aeroplani “i përdorur vetëm nga Putin” u ngrit nga Moska më 24 qershor dhe u nis drejt Rusisë veriperëndimore. Ai shtoi se aeroplani u zhduk nga pajisjet e gjurmimit të fluturimit “diku rreth Valday”.
Tashmë në ditën e kryengritjes, u shfaq informacioni se aeroplani presidencial Ilyushin Il-96 u ngrit nga kryeqyteti rus.
Një pjesë e mediave të pavarura ruse raportoi se gjurmuesi i aeroplanit ishte fikur kur filloi të zbriste në rajonin Tver. Supozohet se aeroplani po fluturonte drejt bazës ajrore Borisovsky Hotilovo, e cila është aeroporti më i afërt me rezidencën e Putinit në Valnai.
Aeroplanë të tjerë që përdoren për të transportuar zyrtarë të lartë rusë ose anëtarë të forcave të armatosura, u ngritën nga Moska.
“Udhëheqës, drejtues të ndryshëm të departamenteve të ndryshme, në të vërtetë, shumë prej tyre gjithashtu u larguan nga Moska. Pra, pikërisht për këtë mendoja në atë kohë se opozita kishte një shans. Por… rebelimi i Prigozhinit u shemb shumë shpejt”, përfundoi Khodorkovsky.