Miliarderi Mohammed Dewji, i cili u rrëmbye për 10 ditë në tetor të vitit të kaluar, thotë se ishte gati të vdiste.

43-vjeçari nga Tanzania, i cili konsiderohet miliarderi më i ri në Afrikë, rrëfeu për BBC se u kërkoi rrëmbyesve ta qëllonin.

Ai foli për herë të parë për mediat pasi u rrëmbye jashtë një palestre në një hotel në qytetin Dar es Salaam.

Miliarderi shpjegoi për BBC pse u kërkoi rrëmbyesve të tij që ta vrisnin.

Dewji tha se ishte i çoroditur dhe me sytë e lidhur në momentin që kërkoi nga rrëmbyesit që t'i jepnin fund jetës së tij.

“Unë isha me sytë e lidhur dhe kishte raste që ata vazhdonin të më kërcënonin me armën në kokë. Në ditën e 5-të ose të 6-të mendova se po humbja shikimin”, tha ai.

Ndërsa shtoi: “Rrëmbyesi më thoshte: ‘Unë do të qëlloj ty” dhe unë i thosha ‘mund të më qëlloni dhe të më vrisni’. Ju çorientoheni, jeni lodhur sepse është një formë torture."

Dhjetë ditë pas rrëmbimit, Dewji u la i lirë dhe tregoi se nuk u pagua asnjë shpërblim.

As autoritetet dhe as Dewji nuk e dinë ende motivin e qartë të rrëmbimit të tij.

Miliarderi tha se u lirua në një fushë afër hotelit ku u rrëmbye.

"Ende nuk e di pse ndodhi. Natyrisht qëllimi dukej sikur donin para. Në fund ata më liruan pa marrë para,”-tha biznesmeni.

Një shofer taksie, Mousa Twaleb është i vetmi i dyshuar i arrestuar në lidhje me rrëmbimin.

Dewji tha ka bërë disa ndryshime në stilin e jetës pas kësaj përvoje traumatike. Ai  zëvendësoi dritat në shtëpinë e tij me llamba të ndritshme dhe braktisi zakonin e vrapimit vetëm në plazh.

Ai vlerësohet se ka një pasuri prej 1.5 miliardë dollarë.

Kompania e tij MeTL, miliarderi prodhon tekstile, bluan miell, prodhon pije dhe vaj për ushqime për të paktën 6 vende afrikane.