Gjykata e Durrësit vendos sekuestro preventive ose bllokim të punimeve për të gjithë zonën arkeologjike A në sheshin “Veliera”. Prokuroria e Durrësit kërkoi vendosjen e sekuestros preventive të pasurisë së paluajtshme ku po kryhen punimet e ndërtimit të projektit “Veliera” në lagjen nr. 1 pranë Torrës Venciane Durrës, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për të gjithë projektin.
Gjykata e përfaqësuar nga Petraq Curri, vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë. Në vendimin e marrë, thuhet se sekuestro preventive u vendos në zonën A, që është mbi rrugën nacionale.
Ky vendim i marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga juristët e bashkisë së Durrësit. Gjyqi ka patur karakter sekret, pasi bëhet fjalë për sekuestro preventive dhe për këtë arsye nuk është bërë publik për mediat, nuk është hedhur në sistem online, dhe deri tani vendimi është konsideruar sekret.
Më herët, Gjykata Administrative vendosi pezullimin e punimeve vetëm në seksionin para pallatit “Fly”. Ndërsa Gjykata e Durrësit në çështjen penale vendosi pezullim të plotë në zonën mbi rrugën nacionale.
“DurrësLajm” mëson se ky vendim ëashtë dhënë që më datë 3 mars (03.03.2017), ndërsa firma ndërtuese ka vazhduar nga ana e saj në kundërshtim të hapur me vendimin e dhënë nga Gjykata, me punimet ditë e natë. Pothuajse 24 orë në ditë punimet nuk janë ndërprerë në 3 prej katër pjesëve të këtij sheshi.
(Faksimile, vendimi i dhënë nga Gjykata e Durrësit)





