Nga Fatos Lubonja
2 tetor 2015 – Të gjithë çoç prisnin nga kjo afera e CEZ-it sepse lufta politike u duk sikur arriti një zhvillim kulmor. Disa – ata më optimistët – prisnin që, më në fund, në Shqipëri të fillojë të bëhet drejtësi: zullumet e grabitqarëve të parasë e pronës publike nuk mund të vazhdojnë pa fund; ja ku erdhi dita e gjyqit final. E mbështesnin këtë edhe me idenë/shpresën se kësaj radhe amerikanët dhe europianët e kanë seriozisht, kanë vendosur të spastrojnë oligarkinë shqiptare, sepse sisteme të tilla oligarkike rrezikojnë stabilitetin në rajon.
Shihni se ç’ndodhi në Ukrainë. Për disa të tjerë, raporti PS + LSI >PD po prishej në favor të një raporti të ri ku më të shumtit parashikonin zhdukjen e LSI-së. Edhe variantet e pastrimit të Metës qenë të ndryshme. Për disa pastrimi i tij do të bëhej nëpërmjet marrëveshjes së fshehtë Rama – Basha, sigurisht me shtysën e amerikanëve, duke nxjerrë jashtë politikës me këtë rast edhe Berishën. Kështu do të fillojë rilindja e vërtetë – shtonin pjesa socialiste e këtij varianti, sepse Rama, pas kësaj fitoreje kundër Metës, as nuk e llogarit më Bashën. Por, për disa të tjerë, ky sulm ndaj Metës qe produkt i pakalkuluar mirë i Ramës në funksion të forcimit të pushtetit të tij putinist. Për të tjerë akoma ishte një sulm i organizuar nga Basha – Berisha jo vetëm kundër Metës, por kryesisht për të sulmuar pastaj edhe Ramën. E çfarë nuk u tha.
Pse them “u tha” dhe jo “thuhet” sepse, për mua, ky akt i dramës “CEZ–i” për momentin u mbyll. I gjithi ky mal i mbarsur me të vërteta dhe gënjeshtra, me ëndrra dhe pasione për pushtet, për para dhe për një Shqipëri më të mirë nuk prodhoi asgjë më shumë për publikun sesa dy fotografi seksi të Dritan Priftit me një femër. Edhe ato nuk kishin asgjë të re, sepse pozicioni ishte krejt i rëndomtë: burrat e quajnë “shtërvançe” sepse penisi e hedh spermën nga poshtë lart, siç hedhin ujin disa lloj shatërvanësh, kurse gratë e quajnë “kaluar”, sepse gruaja kalëron burrin.
Sipas meje, nuk kishte se si ndodhte ndryshe në moçalin shqiptar. Mjaft të lexoje me kujdes informacionet që vinin për aferën CEZ nga të gjitha burimet. E përsëris: nga të gjitha burimet, sepse mali u mbars me informacione që sekush i lexonte në njërin prej burimeve. Po të lexoje burimet pranë qeverisë, do të shihje se përgjegjësia për megavjedhjen e CEZ-it është e Sali Berishës, i cili ka bërë një privatizim korruptiv pikërisht me synimin për të vjedhur. Po të lexoje ato pranë PD-së, do të shihje se hetimi duhet të përqendrohej te kompania DIA me lidhje korruptive me Metën dhe te qeveria Rama që e mbylli çështjen CEZ-i duke u shkaktuar shqiptarëve humbje qindra milionëshe.
Kurse sipas LSI-së së Ilir Metës, hetimi duhej gjithëpërfshirës dhe ndërkombëtar, duke aluduar se përveç kompanisë DIA në aferën e megavjeljes apo megavjedhjes, janë edhe një tufë (tetë) kompanish të tjera, që kanë mbledhur 80% të parave, emrat dhe pronarët e të cilave nuk i përmend askush sepse, pas shumë gjasash, janë të lidhura me PD-në edhe me PS-në. Shkurt, ndërkohë që po t’i mbledhësh e t’i lexosh së bashku të gjitha informacionet, del qartazi se në paratë e vjedhura nëpërmjet CEZ-it i kanë futur duart të gjithë shantazhuesit, madje edhe ndërkombëtarët me mbiemrin “çeku”, të gjithë kërkojnë të hetohet tjetri, d.m.th., të gjithë shantazhojnë njëri-tjetrin me thirrjen “kapeni hajdutin”.
E vërteta, sipas meje, është se s’mundet kurrsesi as të pritej, as të pritet që Prokuroria jonë të ngrihet mbi të gjitha këto palë dhe të hapë një proces gjithëpërfshirës për këtë vjedhje gjigante që i është bërë nga këto parti/banda popullit shqiptar, sepse dihet se Prokuroria jonë nuk punon në interes të popullit të vjedhur, por në interes të pushtetit të tyre. E vërteta është se ajo që pritej nga protagonistët e konfliktit, sipas hesapeve të tyre, ishte që lufta politike pas aferës CEZ të nxirrte një fitues që për disa do të ishte Rama, për të tjerë Rama – Basha, kundër Metës e për të tjerë Basha kundër Rama – Metës.
Ata prisnin edhe që Prokuroria të vepronte në emër të më të fortit, ku më me gjasa ky do të ishte Rama dhe më i dobëti Meta, si më i diskredituari edhe në sy të ndërkombëtarëve. Mirëpo Meta reagoi fare pak, sa për t’i kujtuar Ramës se lufta kundër Metës do duar të pastra, jo duar të zhytura në moçalin me ngjala të korrupsionit e gjithçka u kthye për momentin në ekuilibrin e mëparshëm. Rama nxitoi të deklarojë nga SHBA se koalicioni është shëndosh e mirë dhe gjithë këtë zhurmë e kanë bërë disa maskarenj të medias.
Kështu, shqiptarët që prisnin çudinë mund të kënaqen për momentin duke masturbuar me foton porno të Dritan Prifit. Personalisht do t’i këshilloja të kërkojnë në Google “free sex”, sepse atje gjen foto e video me një cilësi shumë më të lartë, me pozicione shumë më interesante dhe aktorë shumë më seksi. Dhe gratis, të kuptohemi. Kurse nëse vërtet duan të dalin nga moçali i megavjedhjeve PS-PD-LSI & Co, duhet ta dinë se kjo nuk është një gjë që mund t’u dhurohet gratis.
“Panorama”
/portali DurresLajm/