Gazetari Elton Qyno, i cili u mbajt i shoqëruar për disa orë për t’u marrë në pyetje nga SPAK, ka deklaruar se veprimi i Gjykatës për kontrollin e banesës dhe të sendeve personale është i paligjshëm.
Në një lidhje telefonike për Wake Up, gazetari tha se nuk mund t’i tregojë burimet, por nga materialet që i ka sekuestruar SPAK, burimet e tij mund të gjenden lehtë dhe kjo është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.
“Vendimi i Gjykatës është i paligjshëm në kundërshti me konventat ndërkombëtare. Gazetari nuk mund t’i tregojë burimet. Nga ato letra gjenden lehtë burimet e mia. Të më mbahen telefonat, të kontrollohet i gjithë ambienti im i punës në Ora News.
Unë nuk e kam bërë për qëllime personale. Unë kam gjetur të dhënat, e kam bërë lajm, kjo është detyra jonë. Materialet konfidenciale i publikojmë, mjafton të jenë të vërteta. Unë jam treguar bashkëpunues për të treguar çdo komunikim në SKY. Këto përgjime i kanë edhe kolegë të tjerë. Unë u bëra sebep. Për mua ishte e tepruar dhe nuk duhej të ishte bërë nga ana e SPAK. Kërkoj mbështetjen e kolegëve”, deklaroi gazetari Qyno në Wake Up.