Modelja britanike Chloe Ayling, e cila vitin e kaluar u mor peng në Itali për 6 ditë, ka rrëfyer ditët e saj të vështira. Ndonëse pasi arriti të fitoi lirinë ajo u kthye në Britani, shumë njerëz ishin skeptikë për historinë e saj. BBC i ka kushtuar një artikull modeles, e cila tregoi se si duhet të bënte rrëmbyesin e saj që të binte në dashuri me të.
Modelja tregoi se ajo kishte rënë në një kurth, ku gjithçka ishte mirëmenduar nga autori i ngjarjes, Lukasz Herba, i cili ishte frymëzuar nga filmi “By Any Means”.
Chloe teksa i ishte përgjigjur pozitivisht një ftese për një fotoshoting mode në Milano, ishte përballur me kurthin, ndërsa ishte marrë peng. Ajo si fillim u drogua dhe më pas u dërgua në një shtëpi në periferi të Torinos.
“Duhej ta bëja rrëmbyesin të binte në dashuri me mua. Sapo nisëm të flisnim, e kuptova se ai po fillonte të më pëlqente, ndaj duhej ta përdorja këtë në avantazhin tim. Ky ishte shansi im për t’ja dalë mbanë”– tha ajo, shkruan BBC.
Kur arriti të ishte e kthjellët dhe e vetëdijshme se ishte marrë peng, autori i kishte thënë se ajo do të përfundonte në punonjëse seksi nëse nuk i siguronte atij 300 mijë euro. Pas 6 ditësh qëndrim në këtë banesë, vajza arriti që të arratisej prej aty, ndërsa iu drejtua për ndihmë policisë. Kjo e fundit arrestoi autorin. Autori i grabitjes, Lukasz Herba nga Polonia, u dënua me 16 vjet burg të hënën nga gjykata italiane.





