Nga Shefqet Kërcelli

 

DURRËS, 21 dhjetor 2013 – Më datën 19 dhjetor 2013 u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, kapiteni i vjetër i motobarkave Sali Bedulla (Alushi), hero i transportit të brendshëm detar në vendin tonë. Lindur në Bilisht të Devollit në vitin 1924, ku kreu shkollën fillore dhe 7-vjeçare. Saliu në moshë të re mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në radhët e Br. II S. Në fillimin e viti 1945 Saliu filloi si marinar në motobarkat, e riparuara në kantierin e Durrësit. Më pas në vitin 1946, shkoi në Divulje të ish-Jugosllavisë, me grupin e parë të kursantëve nga Shqipëria, ku mori njohuritë bazë si navigator. Në vitin 1948, Saliu u bë pjesë e flotiljes së marinës luftarake në Durrës si komandant i anijes me nr. bordi 14. Në vitet 1949-50, shërbeu komandant i motovedetës “Mujo Ulqinaku” dhe që nga viti 1950 deri 1990, detari i sprovuar tashmë shërbeu kapiten i motobarkave “Ylli i Kuq”, “Vjosa”, “Asim Zeneli”, “Ali Kelmendi”, “Mesapliku”, thuajse në të gjitha motobarkat për më se 40 vjet rresht. Me vullnet të hekurt, i dashur me shokët dhe marinarët, lundërtar i papërtuar, kapiten Saliu me këto barka të thjeshta e kushte jo të mira teknike ka transportuar me qindra tonë mallra të ndryshëm nga Saranda, Vlora, Durrësi e Shëngjini, duke u bërë simbol i transportit të brendshëm, dhe ikonë e flotiljes së motobarkave shqiptare. Me këto mjete të thjeshta kapiten Saliu ka transportuar thuajse një mal me kripë nga Saranda në Vlorë, aq sa në mënyrë figurative ai thërritej jo në mbiemrin e tij zyrtar, por Sali Krypa. Një njeri i thjeshtë, me shpirt human, prind e familjar model, kapiten Saliun e donin e respektonin të gjithë nga Saranda në Shëngjin, ku kishte miq e shokë të shumtë. Saliu e mbylli përballjen e tij me detin si kapiten i anijes “Guri Nazifi”, me të cilën bëri mjaft rrugë dhe në Adriatikun verior. Zanatin e detarit e trashëguan mjaft nga fisi dhe familja e tij, si dhe djali Gëzimi. Gjatë gjithë këtyre viteve kapiteni jetonte me kujtimet e atyre viteve të vështira, me lundrime pa fund, vështirësi e sakrifica që të jep profesioni i detarit. Por më në fund zemra e kapitenit 90-vjeçar pushoi së rrahuri pas një sëmundje të rëndë. Lamtumirën e fundit kapitenit-hero ia dhanë familjarët, miqtë e shokët e shumtë, shokët e kolegët e tij marinarë të gjithë brezave, që ruajnë për të respekt e dashuri të veçantë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/