Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi u ndalua në rrugën “Kastriotët” të Tiranës për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, por rezultoi të ishte në kërkim ndërkombëtar.
I riu me iniciale A. F., po kërkohej në rang ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim mashtrimin e pastrimin e parave”.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve parandaluese janë goditur edhe 3 raste të tjera të tentativës për mitëdhënie, nga drejtuesit e automjeteve, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet e konstatuara.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndaluar, në vende të ndryshme, automjetet me drejtues shtetasit K. G. dhe L. H., dhe E. G., të cilët, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, i kanë ofruar punonjësve të Policisë, shuma parash.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.





