Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen e firmosur midis kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni.
Me anë të këtij vendimi të marrë nga numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, faktohet ngritja e qendrës së pritjes së emigrantëve nga Afrika në zonën e Shëngjinit.
Pas miratimit në qeveri, marrëveshja pritet të shkojë për ratifikim në Parlament.
Vendim:
V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU