Komunikimi 5-6-ditor online me një vajzë që kishte njohur në “Facebook”, i ka kushtuar shtrenjtë një 20-vjeçari në Tiranë, raporton “Panorama”.
Ai është marrë peng nga dy vëllezërit e vajzës dhe është keqtrajtuar fizikisht prej tyre. Sikur të mos mjaftonte, teksa e kanë dhunuar, njëri prej tyre e ka urinuar në kokë të dëmtuarin A. C.
Veprimi është regjistruar në video, përmes një telefoni dhe më pas është publikuar në internet në median online “JOQ”. Ngjarja ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, por pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin e të akuzuarve për ngjarjen, vëllezërve Dashamir dhe Resmi N.
Ata u shpallën fajtorë për akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Dashamir N. u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Resmi N. me 2 vjet burg. Për të pandehurin Remsi, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 3-vjeçare. Në vijim zbardhet e gjithë historia e pengmarrjes, referuar vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”.
HISTORIA
Në prill 2016, shtetasi A. C. ka kallëzuar në organin e Policisë se rreth dy vjet më parë është njohur përmes Facebook- ut me shtetasen B. N. Ai ka biseduar me të për rreth 5-6 ditë, ku më pas ajo i ka kërkuar të shkëpusnin komunikimin, pasi llogaria e saj në FB kontrollohej edhe nga vëllai i saj, Dashamir N.
Pas kësaj, kallëzuesi ka ndërprerë komunikimin me këtë shtetase. Pas rreth një muaji, shtetasi A. C. është telefonuar nga ana e Dashamir N., i cili e ka fyer përmes telefonit, duke i thënë se përse kishte komunikuar me motrën e tij.
Numrin e telefonit, Dashamir N. ia kishte marrë vëllait të kallëzuesit, duke e kanosur se nëse nuk u jepte numrin, do ta vriste. Kallëzuesi është habitur nga kjo telefonatë, pasi ai kishte rreth dy vite që nuk kishte komunikuar me shtetasen B. N.
KËRCËNIMI
Më 5 prill 2016, rreth orës 10:00, shtetasi Dashamir N. e ka telefonuar sërish kallëzuesin, duke i kërkuar të takoheshin për t’u sqaruar. Si pikë takimi kanë lënë fillimisht vendin e quajtur “Mullet”.
Pasi kanë shkuar atje, A. C. ka takuar një kushëri të tij, i cili i ka thënë se do të takoheshin me Dashamirin në Sauk. Kur kanë shkuar aty, ata janë takuar me një tjetër të afërm të tij, i cili i ka thënë se Dashamiri i priste në Tiranë.
Pasi kanë mbërritur në Tiranë, në një bar “A…”, janë njoftuar nga Dashamir N. se ai po i priste për t’u takuar te “Kthesa e Kamzës”.
Kallëzuesi ka hezituar ta takonte, por G. i ka thënë se nuk do të ndodhte gjë, pasi Dashamirin e kishte shok dhe se thjesht do të sqaroheshin.
PENGMARRJA
Me të mbërritur te Kthesa e Kamzës, kallëzuesi A. C. dhe kushëriri i tij janë takuar me shtetasin Dashamir N. Ky i fundit i ka ftuar të hipnin në makinën e tij. Sapo kanë hipur në makinë, menjëherë pas tyre kanë hyrë dhe tre persona të tjerë të panjohur. A.C., duke e nuhatur rrezikun që i kanosej, ka tentuar të largohet, por është ndaluar/qëlluar nga Dashamiri, duke i thënë “Mos lëviz nga makina”.
Më pas kanë udhëtuar rreth gjysmë ore me makinë dhe Dashamiri vazhdimisht i ka thënë kallëzuesit se përse ai kishte folur me motrën e tij. Ai ka kundërshtuar një fakt të tillë, por i pandehuri ka insistuar.
KEQTRAJTIMI
Në vijim, mjeti ka ndaluar në vendin e quajtur “Parku i Autobusëve” Vorë, në një rrugicë me zhavorr, ku i priste një makinë tjetër, brenda së cilës ndodheshin 5-6 persona. Pas kësaj, ka ndërhyrë i pandehuri Remsi N., i cili ka tërhequr nga flokët A. S., duke e nxjerrë nga makina. Më pas i janë sulur duke e goditur dhe qëlluar me hekur. Më pas, Resmiu e ka urinuar në kokë shtetasin A. S.
Ky veprim i kryer nga Resmiu është filmuar nga i pandehuri tjetër, shtetasi Dashamir N. Pas kësaj ata janë larguar duke e kanosur A. S. se nëse tregonte, do t’i vrisnin familjen e tij dhe se videon do ta publikonin në internet.
Kallëzuesi është larguar nga vendi i ngjarjes, duke kërkuar ndihmë nga kalimtarët, të cilët e kanë këshilluar të shkojë dhe të denoncojë këtë rast në Polici, por ai ka hezituar të shkojë në rajon për të bërë kallëzim.
Pas pak ditësh, ka ndjerë dhimbje në kokë dhe ka shkuar në spitalin në Sauk për t’u vizituar. Pas një jave, ai ka konstatuar se të pandehurit e kishin publikuar videon në internet.
/PANORAMA/





