Tiranë, 13 shtator 2014 – Shtatë veta kanë ndjekur për dy javë rresht një 23-vjeçar që u ngacmonte kushërirën, me qëllim për ta vrarë. Autorët, të gjithë nga Mirdita, ishin vënë në ndjekje të djalit nga Lezha me 4 makina luksoze, 2 “Audi Q7”, një “BMW X6” e një “Toyota”, të pajisur me armë zjarri e shkopinj bejsbolli.
Mesnatën e së enjtes duke gdhirë e premtja, policia ua ka prerë hovin në autostradën Fushë– Krujë – Lezhë, kur ata i kishin zënë pritë të riut për ta vrarë
Policia ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes së 23- vjeçarit Roan P., duke vënë në pranga 7 kushërinjtë e armatosur Marian Radaçin, 38 vjeç, Alfred Markun, 33 vjeç, Artan Sulejmanin, 40 vjeç, Arli Ndrejajn, 24 vjeç, Darjel Carën, 22 vjeç, Arvin Dodajn, 29 vjeç dhe Ernest Ndojën, 28 vjeç, të gjithë nga Rrësheni i Mirditës.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan: një pistoletë “Glock” me 15 fishekë, dy makina “Audi Q7”, me targa AA 727 GH dhe AA 622 JR, një automjet i markës “BMW X6”, me targë italiane DT 744 MD, një “Toyota” me targë AA 090 FC, një “Fiat Punto” me targë AA 857 AK, si dhe shkopinj bejsbolli metalik e druri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





