Avokatja shqiptare që jeton në Australi Eva Buzo, u shtrua në spitalin e Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore që e detyruan të ndërpresë sfidën e nisur prej mëngjesit të djeshëm.
Ajo fillimisht u vendos në terapi intensive, pasi sipas mjekëve kishte hipotermi për shkak të qëndrimit në ujë. Ndërkohë gjendja e saj shëndetësore aktualisht raportohet se është e qëndrueshme, dhe gjithashtu bëhet me dije se Eva ka filluar të komunikojë, shkruan “BW”.
Pas daljes së saj dhe rikuperimit nga spitali do të ketë një pritje në lungomare. Është bërë një organizim për ta pritur atë edhe pse sfida e saj nuk shkoi deri në fund, u thye çdo rekord.
Avokatja u nis mëngjesin e djeshëm nga Otranto, Itali për të mbërritur me not në Vlorë, por pas rreth 27 orësh në det u detyrua të ndërpresë sfidën 10 milje nga Karaburuni. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.