Aktori i njohur i humorit, Edmond Halili ka treguar se mëngjesin e sotëm ishte nisur nga Durrësi për të takuar Zef Dedën, por nuk mundi ta takojë dot pasi në momentin që mbërriti tek dera e shtëpisë së tij në Shkodër, mjeshtri i humorit u nda nga jeta.

Edmond Halili, i cili ka ndarë skenën me aktorin e ndjerë, me lot në sy u shpreh se largimi nga jeta i Zef Dedës është dhimbje e madhe dhe humbje për të gjithë humorin shqiptar.

“Sot në mëngjes u nisa nga Durrësi për ta takuar. E dija që ishte i sëmurë sepse bëra një shfaqje në Shkodër se takova dot sepse ishte i zënë.

Sa shkova tek dera e shtëpisë, doli një infermiere i thashë si është Zefi, tha “Zefi dha shpirt”. Më erdhi shumë keq, e kisha shokë të vjetër. Është një dhimbje e madhe, është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar”, tha ai për News24.

Zef Deda vuante nga një sëmundje e rëndë prej gati 1 viti. Por aktori humbi “betejën” me sëmundjen mëngjesin e sotëm, duke u ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.