Policia Kufitare ka proceduar penalisht dy shtetas për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Sipas hetimeve të policisë, dy banorë të Elbasanit janë nisur nga porti i Durrësit së bashku me dy djemtë e tyre të mitur drejt Italisë, por pasi i kanë braktisur dy adoleshentët në vendin fqinjë, janë kthyer në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit.

Dy baballarët do të ndiqen penalisht nga Prokuroria e Tiranës.

Njoftimi i policisë:

Më 18.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin  L.GJ, vjeç 52, banues në Belsh, Elbasan, pasi dyshohet se më datë 16.09.2017, nëpërmjet PKK Porti Durrës, ka udhëtuar së bashku me djalin e tij të mitur A.GJ, vjeç 16 drejt Italisë, është kthyer vetëm dhe fëmijën e ka braktisur në Itali. Neni 124 i Kodit Penal.

Më 18.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin N.S vjeç 52, banues në Elbasan, pasi dyshohet se më datë 30.09.2017, nëpërmjet PKK Porti Durrës, ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me djalin e tij të mitur F.S, vjeç 16, është kthyer vetëm dhe fëmijën e ka braktisur në Itali. Neni 124 i Kodit Penal.