Tiranë, 17 maj 2014 – "Tv Klan”, me pronar Aleksandër Frangajn, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një padi për drejtuesen dhe autoren e emisionit “Njerëz të Humbur”, Aida Shtino. Në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, Frangaj thotë se Shtino nuk ka paguar një faturë prej 8.4 milionë lekësh nga përdorimi i telefonit celular.
Në objektin e padisë të dorëzuar nga Frangaj thuhet: “Detyrimi i palës së paditur t’i paguajë paditësit shumën 841,869.53 lekë, për shkak të përdorimit të shërbimit telefonik celular të nr. 0694007xxx të dhënë nga punëdhënësi, pas zgjidhjes së marrëdhënies së punës”.
E kontaktuar nga “Bluetooth”, Aida Shtino përmes përfaqësuesit të saj ligjor është shprehur se: “Secili ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës, për të kërkuar një të drejtë të pretenduar si të cenuar nga persona të tjerë. Në këtë linjë ka vepruar dhe shoqëria ‘TV Klan’. Ne e inkurajojmë për këtë veprim qytetar. Sigurisht që ne (Aida Shtino dhe avokati i saj), nuk e pranojmë atë padi dhe pasi të kemi të gjitha provat ku bazohet ‘TV Klan’, do shprehim qëndrimin tonë kundërshtues. Çdo veprim që ka kryer Aida Shtino në lidhje me përdorimin e celularit ka qenë në përmbushje të detyrimeve kontratore të punës që ka pasur me shoqërinë ‘TV Klan’”, – ka përfunduar deklaratën e tij, përfaqësuesi i Aida Shtinos.
Aktualisht, Aida Shtino emisionin e saj “Njerëz të Humbur” e transmeton në “TVSH”, pas largimit nga “TV Klan”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





