Margarita Simonyan, drejtuese e agjencisë së lajmeve RT të kontrolluar nga shteti rus, ka publikuar një video tre minutëshe në Telegram që tregon një nga të dyshuarit për sulmin në Moskë duke u marrë në pyetje.

Regjistrimi tregon të dyshuarin me origjinë nga Taxhikistani duke thënë se ai qëlloi njerëzit në sallën e qytetit Crocus të Moskës “për para”.

Ai tha se udhëtoi për në Rusi nga Turqia pasi u kontaktua nga në Telegram për pjesëmarrjen në sulm, për të cilin u pagua gjysmë milioni rubla ose rreth 5,400 dollarë.

I pyetur se nga kush u kontaktua, ai tha se nuk e dinte dhe se kur është kontaktuar nuk ka pasur emër apo detaje të tjera, por tregoi se personat që e kontaktuan siguruan edhe armatimet.

Shërbimi rus i sigurisë FSB pretendon se ka arrestuar 11 persona në lidhje me sulmin në Moskë, duke përfshirë katër persona që morën pjesë drejtpërdrejt në sulm.

Dialogu me të arrestuarin:

Policia: “Çfarë bëre në Crocus?”

I dyshuari: “I qëlluam”.

Policia: “Kë?”

I dyshuari: “Njerëzit”.

Policia: “Për çfarë?”

I dyshuari: “Për para. Gjysmë milion rubla.”

Policia: Ku i keni marrë armët?

I dyshuari: “Armët i kanë dorëzuar vetë”.

Policia: “Kush janë ata?”

I dyshuari: “Nuk e di. Kanë shkruar nga Telegram pa emër, pa asgjë.”