PREÇ ZOGAJ
Çfarë nuk kemi dëgjuar këto ditë për skandalin CEZ. Akuza, kundërakuza, përgënjeshtrime, alibi, apologji të njërit dhe tjetrit politikan “nuk jam unë, nuk kam dorë unë, nuk kam gabuar unë, nuk kam abuzuar unë” e tjerë, e tjerë. Vetëm një gjë nuk e kemi dëgjuar qartë as nga goja e Edi Ramës, as nga goja e Ilir Metës, as nga zëdhënësit dhe bashkëpunëtorët e tyre: A janë shpëtuar apo jo 135 milionë eurot që rrezikon Shqipëria të humbasë në arbitrazhin ndërkombëtar ku e ka paditur shoqëria DIA?
Kanë ndodhur ngjarje të pazakonta pas zhvidhosjes së pjesshme, sa për provë, të burmave të skandalit CEZ. Ngjarje që publiku nuk i ka parë, por i ka dëgjuar. Sipas LSI-së, Kryeministri Edi Rama ka qenë në krye të një komploti kundër Ilir Metës. Me t’u kthyer nga SHBA, Rama ka nxituar të shpjegohet në zyrën e Metës. Për momentin komploti i famshëm duket i kapërcyer, Meta e ka falur Kryeministrin. Ose komploti ka rezultuar një halucinacion i tij. Vetëm një gjë nuk ka ndodhur. Një gjë është akoma në pikëpyetje: Si do të shkojë fati i arbitrazhit ndërkombëtar midis DIA-s së Kastriot Ismailajt, që kërkon 135 milionë euro dhe qeverisë Rama-Meta që i ka marrë përsipër detyrimet eventuale të këtij arbitrazhi në marrëveshjen e likuidimit me CEZ-in në qershor të vitit të kaluar?
Më shqeto: A janë shpëtuar 135 milionë eurot e qytetarëve shqiptarë apo mundësia për t’i humbur këto para është e hapur? Si janë shanset, si janë pritshmëritë në dritën e provave që ka mbledhur për të bërë mbrojtjen avokati i qeverisë shqiptare dhe argumenteve ku e mbështet pretendimin e tij presidenti i DIA-s, Kastriot Ismailaj, aktualisht në gjendje arresti?
Të mos flasësh për këtë, të mos kesh përgjigje për këto pyetje kyçe do të thotë, më e pakta, t’i ikësh thelbit të skandalit që ka tronditur opinionin publik; do të thotë të fyesh publikun duke e ushqyer me hollësira pa vlerë, por duke e privuar ndërkohë nga e drejta për t’u informuar për thelbin e çështjes; së fundi, do të thotë të jesh i robëruar dhe i verbuar nga pushteti në vetvete dhe të mos e çash kokën se Shqipëria dhe shqiptarët po i humbasin këto para.
Cili është skandali CEZ që u hap kohët e fundit? Mos vallë historia plot njolla e kompanisë? Mos vallë paaftësia, shpërdorimet dhe abuzimet e mëdha që çuan në falimentimin dhe dëbimin e saj nga Shqipëria gjatë qeverisjes “Berisha”? Mos vallë bisedimet nga pozitat e inferioritetit dhe gafat e rënda me dyshime të bazuara korruptive të qeverisë “Rama” në marrëveshjen e likuidimit përfundimtar me kompaninë CEZ në qershor të vitit 2014? Kudo ku të fusësh dorën në këto fragmente të historisë së palavdishme të CEZ-it në Shqipëri, do të kapësh skandale të përmasave të larmishme. Por është absurde të mendosh se shqiptarët u zgjuan një ditë të bukur dhe thanë “hajde të tregojmë secili çfarë dimë për CEZ-in, meqenëse i kemi vënë në vijë të gjitha punët e tjera”.
Jo. Skandali CEZ plasi sepse ish-administratori i CEZ-it, Hesek, në dëshminë që i ka dhënë avokatit të qeverisë shqiptare për shpëtimin e 135 milionë eurove që pretendon DIA, ka akuzuar për marrje ryshfeti një ish-kryeministër shqiptar, që ka qenë i gjykuar për korrupsion dhe ka lobuar për shoqërinë DIA pranë autoriteteve çeke. Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë identifikuar në ketë skedë të paraqitur në formën e një quiz-i, Ilir Metën. Këtu ka filluar të vlojë vullkani i fjetur i CEZ-it. Po të mos ishin vënë në rrezik 135 milionë eurot, vullkani do të ishte në gjumë. Po të mos ishte akuzuar për marrje ryshfeti një zyrtar shumë i lartë, nuk do të kishte skandal të këtyre përmasave.
Qeveria “Rama”, e cila qëndron legjitimisht prapa strategjisë së mbrojtjes së 135 milionë eurove në arbitrazhin ndërkombëtar, avokati i saj që ka mbledhur dëshmitë dhe provat e mbrojtjes, rrjeti i gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor që publikoi dëshminë për marrje ryshfeti, të gjithë këto i hoqën një petë lakrorit, duke ua lënë forcave të tjera në skenë heqjen e petave të tjera. Opozita bëri gjënë më të natyrshme dhe më të pagabueshme në rebusin e krijuar nga lufta e stërkëmbshave dhe loja kukafshehtasi brenda shumicës. Kërkoi dhe kërkon dorëheqjen e Ilir Metës, hetimin e tij si deputet i thjeshtë për akuzat e ryshfetmarrjes. U duk se skandali po e shtynte politikën drejt aulës së drejtësisë dhe ndëshkueshmërisë.
Por politika dhe zgjatimet e saj në media, së paku në këtë fazë, ia dolën të zhurmonin me sukses, për të mos thënë edhe të bllokonin hetimin e skandalit, duke e devijuar nga boshti i tij, që është gjithnjë fati i 135 milionë eurove dhe akuzat për ryshfetmarrje të Ilir Metës nga shoqëria DIA. Në qofte se do t’i jepja zë hidhësisë që të shkakton kjo shmangie me kosto shumë të lartë për interesin publik, do të thosha me ironi:
Bravo u qoftë, por jo nderim, mjeshtërve që zhurmuan një skandal konkret të ditës me skandale të vjetra, të konsumuara. Ju lumtë Ju që arrini gjithmonë të përzieni në një enë fakte të gjalla me fakte të vdekura, dyshime të bazuara me sajime të imagjinatës, përgjegjësi politike kolektive me akuza penale individuale, për të nxjerrë nga gjithë kjo alkimi një Asgjë të madhe, si kjo që nxorët, një gjendje pati ku të gjithë kanë ngjyer gishtin, të gjithë kanë nga pak faj, por askush nuk është fajtor!
Bravo i qoftë, por jo nderim, Ilir Metës, që duke e lexuar drejt se nga i vinin akuzat, i tregoi dhëmbët Edi Ramës, edhe pse për shkak të postit që mban, duhet të përballet me skandalin dhe jo të mjaftohet të trembë një njeri të trembshëm.
Bravo i qoftë, por jo nderim, Edi Ramës, që pasi duhet të ketë larë me sapun dorën që i dha Kryeministrit grek Cipras, për të shpëlarë ndonjë shenjë parimësie dhe kuraje që mund t’i kishte mbetur nga dora e grekut, i hëngri me bukë sulmet e paprincipta të Ilir Metës, që nuk ua gjejmë shoqen në asnjë shumicë plurale të Perëndimit.
Po 135 milionë eurot? Po akuzat për ryshfetmarrje nga një zyrtar shumë i lartë i shtetit shqiptar? Kaq vulnerabël qenka interesi publik, kaq vulnerabël qenka Drejtësia në Shqipëri dhe në aleancën euroatlantike ku bëjnë pjesë, sa që milionat e rrezikuara dhe akuzat në fjalë të injorohen nga ujditë kalimtare apo “marrëveshjet prej xhentelmenësh” të Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Të kuptohemi. Në një konflikt midis individit dhe qeverisë unë, në parim, anoj nga individi. Nuk kam asnjë problem ta konfirmoj ketë prirje edhe për konfliktin në arbitrazhin ndërkombëtar DIA-Qeveri. Në fund të fundit, qeveria duhet të paguajë për gafat dhe budallallëqet e saj.
Edhe në kurriz të qytetarëve që e kanë votuar. Qytetarët të zënë mend. Të mos votojnë budallenj dhe banditë. Por jemi në rastin kur qeveria, as e djeshmja, as e sotmja, nuk ka përgjegjësi për prishjen e njëanshme të kontratës me DIA-n. Kontratat që ka bërë CEZ-i me shoqëritë private për mbledhjen e borxhit të keq kanë qenë ekskluzivitet i CEZ-it. Unë jam habitur me guximin e DIA-s për të paditur qeverinë shqiptare dhe për të kërkuar një shumë kaq të madhe, 135 milionë euro, që nuk e kuptoj si është kalkuluar. Ndërkohë që Presidenti i saj po hetohet në gjendje arresti për mashtrim, pagesa abuzive dhe disa vepra penale, ka zëra që thonë se atij i është ofruar një kompromis në shumë të konsiderueshme për t’u tërhequr nga padia. Dhe nuk është tërhequr.
Kërkon 135 milionë euro. Këtu luhet një lojë e madhe, ma merr mendja një lojë në grup, ku personazhet hyjnë e dalin si në ethet e arit të Xhek Londonit. Ç’do të ndodhë?
Në shumë shkrime e prononcime publike kam bërë thirrje të mbështesim përpjekjet e qeverisë për të fituar arbitrazhin me DIA-n dhe për të shpëtuar 135 milionë euro. E kam konsideruar një lëvizje me detyrim përcaktim të qeverise dhe Ramës shpëtimin e kësaj shume. Pa marrë parasysh emrat e personazheve që dalin në skenë. Me sjelljen e tij dhe me heshtjen e tij për fatin e 135 milionë eurove, duke ia nënvendosur këtë çështje kyçe politikave dhe koniunkturave të ditës me aleatin e tij Meta, Rama ka lënë përshtypjen e një ndalimi, që nuk mund ta dimë a është thjesht një pushim në mes të lojës apo një tërheqje nga mbrojtja pa kompromis e interesit publik në arbitrazh.
Kështu siç kanë ardhur punët, arbitrazhi nuk mund të shmanget me kompromise të ndyra. Publikut nuk mund t’i fshihet më asgjë. Nga ana tjetër, për t’u marrë në konsideratë, dëshmitë që ka mbledhur avokati i qeverisë do të duhet të paraqiten para tribunalit, para gjyqtarëve. A do të paraqitet ish-administratori i CEZ-it para gjyqtarëve? A do ta thotë emrin e ish- kryeministrit që ka marrë ryshfet dhe ka lobuar për DIA-n? Sigurisht që po. Para gjyqtarëve nuk flitet me quizze. Ai është dëshmitari kyç. Dëshmia e tij është shumë e rëndësishme, madje vendimtare për mbrojtjen e palës shqiptare. Veç po të ndodhë çudia që atij t’i kërkohet të mos paraqitet, të mohojë dëshminë dhe Shqipëria të rrezikojë të humbasë një shumë tjetër kolosale për karrigen e Ramës dhe Metës. Po të ndodhë kjo, afera 135 milionë euro do të këtë një emër me tri fjalë: tradhti e interesit publik, që qytetarët nuk do ta falin.
/Panorama/