Një makinë e djegur që dyshohet se është përdorur në atentatin në Vlorë është gjetur në fshatin Kafaraj afër Frakullës, Fier.

Në automjet është gjetur edhe kallashnikovi i përdorur në atentat. Policia thotë se mjeti u gjet poshtë një nënkalimi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ka dyshime që ky automjet të jetë përdorur në atentatin e Vlorës.

Mjeti me targa italiane En 951 Hg, u gjet rreth orës 10:00, në rrugën e fshatit Kafaraj që lidhet me autostradën Levan-Tepelenë, poshtë një nënkalimi, ndërsa në fotot e siguruara nga “BalkanWeb” mjeti është shkrumbuar tërësisht.

Atentati në Vlorë
Vlora sot u trondit nga një atentat me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 09: 35, në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një mjeti “Mercedes Benz” me targa VL 63 68 C, ndërsa u plagosën 3 persona. Përkatësisht breshëria e plumbave kapi Ferdinand Llanaj, djali i tij 8 vjeç si dhe miku i shënjestres, Dritan Begaj 50 vjeç.