Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, bëri paraqitjen e tij të parë publike pas 20 ditësh, pas thashethemeve për shëndetin e tij. Shumë media aluduan mbi faktin se ai kishte ndërruar jetë dhe se pushteti i kishte kaluar motrës së tij.

“Kim ndoqi një ceremoni ku u shënua përfundimi i një fabrike të plehrave në Sunchon, në provincën e Phyongan-ut të Jugut”, tha agjencia e lajmeve Yohnap, duke cituar mediat shtetërore të Koresë së Veriut. Ajo shton se njerëzit në fabrikë “shpërthyen në brohoritje kur u shfaq udhëheqësi i tyre”.

Ai u pa për herë të fundit më 11 prill duke kryesuar një takim të zyrës politike të Partisë së Punëtorëve.

“Mungesa e tij në ngjarjet më 15 prill për të përkujtuar 108-vjetorin e lindjes së themeluesit të ndjerë dhe gjyshit të tij, Kim Il-sung, shkaktoi spekulime për shëndetin e tij”, thuhet në raportimin e Yonhap.

Pretendimet për vdekjen e Kim erdhën nga raportime të pakonfirmuara të ngritura në lidhje me shëndetin e tij të përkeqësuar.

Megjithatë, agjencia Reuters raporton se lajmi është dhënë nga agjencia shtetërore e lajmeve dhe se një lajm i tillë nuk mund të verifikohet.