Viktor Marku, i cili qëlloi me armë zjarri në Shkodër, është autori i dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë.

Ai u arrestua nga policia, por që më pas është liruar për mungesë provash nga Gjykata e Tiranës.

Raportohet se Viktor Marku gjatë mbrëmjes ka qëlluar me armë zjarri në afërsi të bustit të Prekë Calit.

Ndërkohë në një automjet tip BMW, i cili është sekuestruar, u gjet një gëzhojë arme.

Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të saj.

Nga të shtëna raportohet se nuk ka persona të plagosur.

Arrestimi për vrasjen e Hekuran Billës

40-vjeçari Hekuran Billa, me precedentë penalë, u ekzekutuar mbrëmjen e 11 Qershorit 2020 me një amrë zjarri me silenciator.

Atentati ndodhi rreth orës 22:00, në momentin që viktima po lëvizte me makinën e tij të llojit “BMW X6”, në zonën “Komuna e Parisit”, pranë qendrës ‘Kristal’.

Më 18 Qershor u arrestua 26-vjeçari Sebastiano Mali, nipi i Hekuran Markut, i dyshuar nga policia si bashkëpunëtor në vrasjen e 40-vjeçarit.

Ndërsa tre ditë më pas, daja i tij Viktor Marku u arrestua nga policia malazeze në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e  shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit”, njoftoi policia në atë kohë.