Manderina Çela, e cila u plagos me thikë nga Ilir Çami në mes të rrugës në qytetin e Korçës, ka mohuar të ketë pasur lidhje intime me agresorin. Nëna e tre fëmijëve ka theksuar në një rrëfim për Euronews se ai e përndiqte prej kohësh.
“Nuk kam pasur asnjë lidhje me të, siç thonë mediat. Janë gënjeshtra. Nuk kam pasur asnjë lidhje me të. Atë ditë që ndodhi ngjarja isha tek nipi në spital, erdhi me ndoqi. Sapo dola, ai me preu rrugën dhe i thashë: mos me ndiq, nuk kam të bëj më ty. Më kërkoi diçka që nuk e them dot këtu. Po, më kërkoi marrëdhënie seksuale. Dhe kafe. I thashë nuk vij. E shtyva me duart e mia. Nxori thikën e tha do të të ther. Vendosi thikën në grykë, e shtyva, i ra thika poshtë, me shtriu përtokë, do të të ther tha. E mbajta. Në momentin që kreu krimin, ngrinte kokën dhe shihte dikë. Nuk e di kë priste, me kë do me therte”, tregoi ajo.
Ajo ka hedhur poshtë pretendimet se ka marrë lekë prej Ilir Çamit ndërsa theksoi se vazhdimisht e kishte denoncuar në polici për përndjekje por asnjëherë nuk e kishin mbajtur në burg.
“Nuk kam folur fare, me ka ndjekur tre vite, me ndiqte nga pas, nuk me linte, unë me burrin, ai pas. Shkoja denoncoja në polici. E nxirrnin në darkë. Donte të më shkatërronte familjen”, tha gruaja.
E pyetur nëse ka pasur lidhje dashurie me të dhe nëse ka marrë 5 milionë lekë nga ai, Manderina i ka mohuar këto dhe ka thënë se janë gënjeshtra
“Jo, fare. Është gënjeshtrat. Unë nuk i kam marrë lek. Burrin emigrant unë, djali emigrant. Janë të gjithë gënjeshtra. Hapte Facebook në emrin tim, në emrin e tij, foton e tija, i shkruante njerëzve. Nuk e kam unë I thosha njerëzve. Me ka turpëruar”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, ditën e sotme Gjykata e Korçës la në burg Ilir Çamin. Ky i fundit gjatë seancës ka shprehur pendesë për plagosjen e ish-partneres dhe hodhi akuza ndaj saj se ka përfituar prej tij shuma monetare në periudha të ndryshme që arrinin deri në 5 milionë lekë të vjetra. Po ashtu ka thënë se arsyeja e konfliktit që solli plagosjen ka qenë se Mandarina nuk i kthente këto para që ai pretendon se i ka marrë. Plagosja ndodhi mëngjesin e 6 nëntorit, ku 46-vjeçarja Manderina Çela teksa po lëvizte në lagjen nr 4 në afërsi të spitalit rajonal të Korçës i ka thënë Çamit që të mos e përndjekë më. Pas kësaj konflikti i tyre ka agravuar deri në përdorimin e thikës.