KUKES, 25 maj 2013– Kreu i PD-së në Kukës, i shtruar në Spitalin Amerikan në Tiranë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

35-vjeçari Bujar Shehu, i plagosur gjatë një atentati para disa ditësh në qytetin verior, tashmë ndodhet i shtruar në reanimacionin e këtij spitali, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë atentatit të së mërkurës në mbrëmje, vëllai i kreut të SHKB-së, ka marrë vetëm katër plumba në trup, ndërkohë që ndaj tij është qëlluar plot 30 herë.

Por, sipas mjekëve, Bujar Shehun, kreu i PD-së në Kukës, si dhe kreu i Bordit të Kullimit në këtë qytet, plumbat e kanë zënë në organet jojetësore, duke e bërë pak më të lehtë shpëtimin e jetës së tij. Ndërkohë, familjarët e 35-vjeçarit pohojnë se nuk kanë dyshime tek askush. Sipas tyre, nuk duhet të dyshojnë tek askush për aq kohë sa policia të zbardhë ngjarjen. Familjarët e Shehut kanë pohuar se nuk e dinë nëse çështja ka lidhje me politikën, por nuk mund të hedhin dyshime të kota. 

Të afërm të tij bëjnë me dije se Bujar Shehu ishte duke u kthyer nga një aktivitet politik. Thuhet se atë mbrëmje, Shehu është konfliktuar me disa persona, por ende nuk është vërtetuar nëse ata kanë lidhje me atentatin e organizuar ndaj tij. Ndërkohë, policia po heton në disa pista në lidhje me atentatin ndaj 35-vjeçarit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë e atentatit për shkak të detyrës, si dhe të ndonjë konflikti personal të kreut të PD-së në Kukës.