Në një moment veçanërisht të ngarkuar emocionalisht gjatë fjalimit të tij vjetor për Gjendjen e Unionit, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i akordoi Medaljen e Nderit rreshterit të parë të Forcave Ajrore, Erik Slover, pilot i cili u plagos gjatë një operacioni të rrezikshëm që çoi në arrestimin e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Presidenti e përshkroi me tone dramatike operacionin gjatë të cilit Slover drejtoi një helikopter Chinook dhe iu afrua gjatë natës kompleksit ushtarak ku ndodhej Maduro.

“Eriku e drejtoi helikopterin në errësirë dhe zbriti me shpejtësi në fortesën e ruajtur rreptësisht të Maduros”, deklaroi ai.

Sipas Trump, oficeri u plagos rëndë gjatë misionit. “U godit shumë keq në këmbë dhe në ijë nga disa plumba. Mori katër të shtëna të dhimbshme që ia copëtuan këmbën në disa pjesë”, tha presidenti, duke theksuar se Slover vazhdon të jetë në proces rikuperimi.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se dhjetë ushtarakë që morën pjesë në të njëjtin operacion do të nderohen në një ceremoni private që do të zhvillohet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë. “Dhjetë nga shokët e Erikut nga ajo natë fitoreje do të marrin gjithashtu medalje në një ceremoni private që do të mbahet së shpejti në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh ai.