Ambasadorja amerikane Juri Kim vizitën e saj të parë zyrtare jashtë Tiranës e zhvilloi në Durrës ku u ndal te pallati 6 katësh në të cilin humbën jetën 7 persona të familjeve Reçi e Karanxha më 26 nëntor.
Ambasadorja shprehu solidarizimin e popullit amerikan me tërmetin e tragjik. Ajo u shpreh e kënaqur që ndihmat e popullit amerikan po shkojnë tek të prekurit nga tërmeti.
Këtë deklaratë ambasadorja Kim e bëri pas takimit 45 minutësh me Kryqin e Kuq në Durrës. Amasadorja tha se në Durrës erdhi për t’u njohur nga afër me problematikën që ka shkaktuar tërmeti.
“Ndihmat e popullit amerikan si në ushqime, me pako që shpërndahen nga vullnetarët e Kryqit të Kuq për familjet në nevojë por edhe në logjistikë nga trupat ushtarake do të jenë në vijimësi për të përballuar këtë situate”, theksoi ambasadorja për mediat.
Ambasadorja në këtë vizitë të parë në Durrës nuk u pa të takohej me asnjë nga drejtuesit e pushtetit lokal apo të Shtabit të Emergjencave që menaxhojnë situatën prej 26 nëntorit.





