Një vajzë mes qindra protestuesish që u mblodhën ditën e djeshme në qytetin e Tiranës për të kërkuar drejtësi për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, ka pretenduar që është motra e këtij të fundit.
Ndërkohë, me anë të një video-mesazhi për emisionin “Shqipëria Live”, Bora Haruni nga fshati Shalës i Sarandës, është shprehur se e gjithë kjo ka qenë një keqkuptim. Ajo thotë se është rritur në një lagje me Klodian Rashën dhe e ka ndjerë veten si të ishte motra e tij.
Haruni thotë se punon në kasë, në një supermarket, dhe bën një jetesë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Vajza i kërkon falje familjes Rasha dhe thotë se nuk ka komunikuar me ta. Më tej, ajo tregon se i ra të fikët në protestë pasi e goditën në bark dhe në shpinë.
“E kane keqkuptuar se si te isha motra e tij, por jemi rrit ne nje lagje dhe prandaj kam folur si motra e tij. Nuk e dija se kane marre njoftimet njerezit dhe punoj ne kase ne supermarket dhe jetoj pak ne Shqiperi se jetoj ne Gjermani. Me kane hapur probleme dhe besoj qe ti heq. Nuk kam folur me familjaret e Klodian Rashes dhe me kane marre familja ime. I kerkoj shume falje familjes dhe Zoti e qofte ne Xhehnet. Me ra te fiket ne proteste ku me goditen ne bark dhe ne shpine”, tha ajo për “Shqipëria Live”.
Por çfarë deklaroi para mediave vajza në fjalë ditën e djeshme?
“Dua një të drejtë nga shteti, dua të drejtën e vëllait tim. Për çfarë u vra? Për çfarë policia nuk qëlloi në ajër, por i qëlloi në kokë. Kërkoj drejtësi për vëllanë tim, ne duam të drejtën për çfarë arsye është vrarë. Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur armë. Kërkoj të dorëhiqet Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, kërkoj mbështetje sa më shpejt. Nuk e prisja kur kam marrë vesh se vëllai im është i vrarë, më thoshin se është arrestuar, kur ma kanë sjellë jam tronditur”, u shpreh ajo.
Për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha janë zhvilluar protesta dhe në disa qytete të vendit tonë përveç Tiranës. Protesta në Tiranë u shoqërua me dhunë ndaj disa institucioneve shtetërore. Protestuesit nuk kursyen as pemën e Krishtlindjeve të kryeministria të cilën e dogjën dhe më pas e rrëzuan. Në fund iu drejtuan qendrës ku dëmtuan dhe i vunë flakën edhe pemës së madhe në mes të sheshit.
Shënjestra e fundit ishte drejtoria vendore e policisë së Tiranës, ku dhe aty pati disa përplasje ku policia përdori gaz lotsjellës ndërsa protestuesit dogjën disa kosha me plehra. Përpos dëmeve materiale të lënduar kanë mbetur 16 efektivë,njëri prej tyre rrezikon të humbasë syrin.





