Policia Kufitare u ka shkuar në ndihmë 7 pushuesve të cilët po udhëtonin me një mjet lundrues nga Himara në Sarandë dhe rreth 300 metra larg bregut, kur mjeti i tyre pësoi defekt.

Në Sallën Operative të Kufirit në Sarandë ka ardhur një telefonatë nga shtetasi V.Q., i cili kërkon ndihmë, pasi së bashku me 6 shtetas të tjerë ndodheshin në një mjet lundrues që ka pësuar defekt teknik (fikje e motorit) dhe kanë mbetur në det rreth 300 metra nga bregu i Bunecit.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar menjëherë pas sinjalizimit për ndihmë dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen në terren tokësor të shtetasve: A.L., 26 vjeç, S.V.,  45 vjeç, C.C., 49 vjeç, M.E., 30 vjeç, të katërt banues në Suedi, si edhe shtetasit L.K., 53 vjeç, banues në Itali, T.J., 48 vjeç, banues në Belgjikë, së bashku me shtetasin V.Q., 55 vjeç, banues në Shqipëri.

Policia Kufitare ka transportuar për në Sarandë turistët, për të cilët raportohet se janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.