Artjon Bajramaj, kreu i FRPD Durrës ka dalë në një deklaratë për mediat pasi policia e procedoi penalisht bashkë me studentin e UAMD-së, Shyqyri Myrtollarin, si organizatorë të protestës që u mbajt një ditë më parë në qytet para godinës së prokurorisë së rrethit, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga efektivi.
Bajramaj tha se dy të proceduarit nuk ishin as organizatorë dhe as drejtues të protestët, thjesht të rinj që kërkojnë drejtësi në këtë vend!
DEKLARATA E PLOTË
Deklaratë për shtyp nga Artjon Bajramaj dhe Shyqyri Myrtollari per ndjekjen penalisht nga protesta e djeshme
Ditën e djeshme datë 09.12.2020, në vijim të një lajmërimi në mediat sociale, vendosëm të bashkohemi në protestën pranë Prokurorisë Durrës ku u kërkua:
1. Drejtësi për vrasjen e 26 vjeçarit Klodian Rasha
2. Dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z.Veliu
3. Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm z.Lleshaj
Më pas u marshua drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Durrës ku nga protestuesit u shfaqën të njëjtat kërkesa.
Theksojmë:
Protesta ishte spontane dhe ne u bashkuam pasi ndjenim për detyrë që të reagonim, pasi në vend të Klodianit mund të ishte kushdo nga ne!
Nuk mund të heshtnim!
Nuk ishim as organizatorë dhe as drejtues të saj, thjesht të rinj që kërkojnë drejtësi në këtë vend!
Pasi protesta mbaroi, një punonjës policie na u afrua dhe u prezantua si z.Karafil Xholi me detyrën shef rendi.
Na pyeti nëse po e organizojmë ne protestën dhe i shpjeguam se jemi thjesht pjesëmarrës.
Na ftoi për kafe, mua dhe studentin e UAMD Shyqyri Myrtollari dhe na premtoi se asnjë nga ne nuk do ndiqej penalisht, kjo pasi protesta ishte e rregullt dhe paqësore. Lam dhe numër kontakti pas kërkesës së z.Xholi.
Sot në mëngjes u çuam dhe morëm lajmërime nga mediat se jemi ndjekur penalisht.
Nuk morëm as lajmërim me shkrim, asnjë telefonatë, as njoftim zyrtar por çdo gjë nëpërmjet mediave edhe pse punonjësi i policisë kishte numrin tonë të telefonit.
Shkeljet janë të qarta nga policia e Shtetit, specifikisht drejtori i policisë qarku Durrës dhe shefi i rendit:
· Fillim i paligjshëm i ndjekjes penale, pasi nuk jemi lajmëruar!
· “Shpifje” nga punonjësi i policisë së shtetit pasi ne ishim thjeshtë pjesëmarrës. Dënohet sipas nenit 120 të Kodit Penal të republikës së Shqipërisë.
· Shpërdorim i detyrës sipas nenit 248 nga punonjësi i policisë së shtetit.
Për këto shkelje, të rinjtë e FRPD Durrës, student dhe të rinj të tjerë do të bëjmë kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut Durrës.
Kjo nuk është policia që duam!
Nuk duam një polici që vret!
Nuk duam një polici që mashtron!
Nuk duam një polici që “mbush ato” para krimineleve dhe bën të fortin dhe i tregon ligjin rinisë!
Ne realisht besojmë se ka polic dinjitozë, të ndershëm dhe punëtorë në trupën e policisë së shtetit. Punonjës që na bëjnë krenarë çdo ditë me përkushtimin e tyre dhe luftojnë çdo ditë për drejtësi në këtë vend, por klika drejtuese është infektuar nga klani “Rilindje” dhe është kthyer në një organizëm servile që shfrytëzohet politikisht.
Ne besojmë në një Shqipëri Europiane, në një Shqipëri ku ka drejtësi dhe nuk ka abuzim nga policia. Një Shqipëri të denjë për tu futur në BE dhe për ti dhënë shpresë çdo shqiptari. Është moment të luftojmë për këtë Shqipëri, çdo shqiptar, kudo që ndodhet!





