Një person ka ndërruar jetë dy ditë më parë në spital, ndërsa lajmi është zbuluar mbrëmjen e djeshme, pasi policia e fshehu ngjarjen. Viktima është Arben Gjeci 35 vjeç nga Zall Bastari, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se bëhet fjalë për një krim pasioni.
Arben Gjeci u transportua i plagosur në spitalin e Traumës, por nuk arriti që t’u mbijetojë plagëve duke ndërruar jetë në sallën e operacionit. Mjekët shprehen se 35-vjeçari është goditur në kokë, ndërsa sipas policisë ka rënë nga një lartësi. Por nisur nga fakti se Gjeci kishte disa goditje me sende të forta në kokë ngrihen dyshime të forta se kemi të bëjmë me vrasje.
Gjeci dyshohet se kishte një lidhje jashtë martesore. Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, por ende nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga Policia e Tiranës për atë që ka ndodhur dhe hetimet.





