Janë zbardhur detaje të reja nga atentati me armë zjarri e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, në zonën e Astirit.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se atentati ku i mori jetën Erigels Mihasit dhe Armando Dumanit është një vrasje e mirëmenduar dhe e organizuar deri në detaje.
Mësohet se dy të rinjtë janë ndjekur me makinë nga autorët dhe të dy mjetet kanë udhëtuar nga pallati me shigjeta në drejtimit të ish sheshit Shqiponja.
Sulmi me armë zjarri ka ndodhur ndërkohë që autorët kanë qënë në lëvizje dhe janë qëlluar me breshëri për 50 metra, deri tek “2 rrathët”.
Armët, dy kallashnikovë pa silenciator kanë qëlluar me breshëri mbi mjetin dhe plumbat kanë kapur të gjitha “Audin” ku ndodheshin dy të rinjtë.
Dyshohet se në këtë atentat të paktën kanë marrë pjesë 5 persona, 3 në makinë e krimit, dhe 2 të tjerë që e kanë ndihmuar për t’u larguar nga Thumana aty ku dogjën makinën e krimit me dy kallashnikovët pa silenciator.
Hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie, e po punojnë për identifikimin e autorëve, ku ka dyshime se autorët që ishin në automjetin “Toyota” informoheshin për lëvizjet e Mihasit dhe Dumanit.





