Arbër Çyrbja është përforcimi i radhës zyrtar i Teutës. Mesfushori është kthyer sërish në familje. Ai flet për pritshmëritë, objektivat në sezonin e ri, por edhe ndjesinë e kthimit në ekipin mëmë. Në sezonin e fundit, Çyrbja ka luajtur me Kukësin, ku zhvilloi një kampionat pozitiv.
Arbër, çfarë nuk shkoi te Kukësi që u larguat?
Mendoj që te Kukësi bëra një sezon të mirë në aspektin personal. Pas përfundimit të Kupave të Europës e pashë të arsyeshme të largohesha, pasi kishte ardhur momenti për të ndryshuar ambient. Kukësit i uroj suksese në sezonin e ri.
Jeni bërë pjesë e Teutës. Çfarë ju bindi të firmosni për këtë klub?
Firmosa, jam i lumtur që do të jem pjesë e Teutës. Ndihem i bindur për zgjedhjen dhe pres një sezon pozitiv. Te Teuta u riktheva me dëshirën më të madhe, pasi është “shtëpia”. Asgjë e veçantë përveçse u ktheva aty ku nisa të hidhja hapat e parë si futbollist. Dua të falënderoj edhe drejtuesit më të lartë të Teutës për besimin që kanë në cilësitë e mia dhe do të mundohem t’ua shpërblej në fushën e lojës me paraqitje dinjitoze.
Çfarë ofertash të tjera keni pasur?
Te Teuta erdha dhe me dëshirën time. E dija cilësinë që kishte në skuadër. Unë jo se nuk kisha oferta, por zgjodha një skuadër që për mua është “shtëpia” ime, por edhe garancia për një ekip pretendent dhe që kërkon vazhdimësinë. Kam besimin e plotë se do të jetë një skuadër edhe më e fortë se një sezon më parë dhe uroj që të ecim sa më larg në kampionat.
Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?
Dua të them se të gjithë duhet të japim më të mirën tonë në çdo seancë stërvitore, pasi në kampionat duhet sakrifikuar dhe duhet dhënë 100%, por deri atëherë, ka kohë. Së bashku kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë në këtë sezon. Shpresojmë që deri në startin e sezonit të jemi në formë dhe ta nisim mbarë. Këtu janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e sezonit të ri dhe të respektojmë fanellën. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë në fushë.
Mendoni se do të përshtateni shpejt te Teuta, duke parë dhe ambientin?
Kam ardhur këtu të luaj, të fitoj dhe të jem një pjesë e rëndësishme e projektit që ka kjo skuadër. Mendoj se do ta kem të lehtë të ambientohem në skuadrën e Teutës, për më tepër në një ambient që e njoh mirë dhe jam gati të kapërcej çdo sfidë. Mezi po pres të zbres në fushë dhe të ndiej mbështetjen e tifozëve.





