Të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019, godinat e tre njësive administrative të bashkisë Durrës së shpejti do të rindërtohen nga e para.
Bëhet fjalë për godinat ku kanë qenë vendosur zyrat e njësive administrative Manzë, Ishëm dhe Katund i Ri.
Bashkia ka vënë në dispozicion fondin 1,929,475 lekë për hartimin e projektit të këtyre 3 godinave, të cilat Instituti i Ndërtimit, me anë të aktekspertizave të thelluara, i shpalli të papërdorshme.
Në konkluzionet për gjendjen e këtyre 3 godinave, Instituti i Ndërtimit arriti në përfundimin se “objektet e ekspertimit konsiderohen me rrezik shumë të lartë për dëmtimin e shëndetit dhe humbjen e jetës së njerëzve (DS4)”.
Të 3 godinat do të rindërtohen në truallin e godinave ekzistuese sic është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës, konform të gjitha standarteve të ndërtimit në fuqi, që të ofrojnë kushte sa më bashkohore.
Kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 6 qershor që të paraqesin ofertat përkatëse.








