Vlora Hyseni është emri i ri, që kryeministri Edi Rama i ka propozuar sot (17.03.2023) Presidentit Begaj për emërimin si drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Ndërkohë Vlora Hyseni më herët është shkarkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nga pozita e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës së Inteligjencë.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj në Kosovë.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti. Ajo flet disa gjuhë të huaja. Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Gjithashtu ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Më herët në njoftimin për shkarkimin e Vlora Hysenit, thuhej ky vendimi ishte marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja e kanë paralajmëruar Vlora Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin zyrtar.