Ana Kallaku për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e ekranit dhe botës së mediat e televizionit. Një figurë e njohur dhe profesioniste në punën e saj, ajo vendosi që të sfidonte veten në një fushë tjetër dhe ishte pikërisht sipërmarrja. Ana Kallaku vendosi që të hapte një biznes të sajin. Megjithëse nuk i rezultoi të ishte aq e lehtë sa e kishte menduar.
Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo tregon për fillimet e vështira, oraret e zgjatura dhe mungesën e kohës me familjen. Në një moment ajo kujton fjalët e djalit të saj të vogël, i cili i pati shprehur mungesën që kishte ndjerë për të. Këtë Ana Kallaku e kujton si momentin më të dhimbshëm.
“Kur po dëgjoja bisedën mes një situate hipotetike, nëse do të mund ta bëja në të ardhmen time një punë të tillë dhe me rrugët që të sjell jeta e me faktin se si vijnë gjërat krejt natyrshëm, ndonjëherë nuk e ke fort alternativën që të zgjedhësh ta bëj ose të mos e bëj. Thjesht ti zgjedh të fillosh diçka për të plotësuar diçka në ambicien tënde, për të shkuar më lart në punë, për të ardhura më të mira, mbase nga të gjitha alternativat që ke momentalisht të duket alternativa më e mirë, e kështu me radhë. A ka qenë e vështirë?! Me thënë të drejtën ka qenë shumë, dy vitet e fundit e kam ndjerë si maratonë në jetën time, edhe dy vitet e fundit në televizion po ashtu meqenëse ka pasur një ndryshim shumë të madh të orarit me të cilin punoja, por biznesi ishte diçka krejt tjetër”.
“Nuk kishte një orar të fillimit apo të përfundimit të punës. Thoja do e lë punën e punës, nuk do e marr në shtëpi me vete, por mbase ishte fillimi, mbase isha dhe unë e re në një sipërmarrje të tillë dhe shumë gjëra të tjera. Mu ngarkuan dhe kam ndjerë një peshë shumë të madhe. Mbaj mend një herë kur jam shtrirë në krevat për të vënë djalin e vogël në gjumë më ka thënë që “mami më ka marrë malli” dhe realisht më ka dhembur shumë. Ka qenë gjatë vitit të parë”, tregoi Ana Kallaku.