Nënkampionia e Europës në atletikë, Atletja Luiza Gega mbërriti mbrëmë në orën 23:15 në e aeroportin e Rinasit. Në garën e 3000 metrave me pengesa për femra në Amsterdam, ajo regjistroi kohën e dytë më të shpejtë prej 9:28:52, duke vendosur kështu edhe një rekord kombëtar në këtë disiplinë.Vajza që në Amsterdam bëri krenar çdo shqiptar duke arritur të renditet e dyta në 3000 metra me pengesa mbërriti në atdhe, por pavarësisht fitores që rrëmbeu, asnjë shtetar nuk e priti në aeroport, por megjithatë surpriza nuk mungoi. Qytetarë të thjeshtë dhe sportdashës u mblodhën në Rinas për të pritur kampionen e tyre. Ata i rezervuan një pritje mjaft të ngrohtë, me flamuj, duartrokitje dhe urime të përzemërta, ato çka një sportist ka nevojë të shohë. Vetë Luiza Gega u shpreh shumë e emocionuar. “Faleminderit të gjithëve për emocionet që më dhuruat” shkruan në profilin e saj në Facebook nënkampionia e Europës.