Gjendja shëndetësore e kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili ndodhej i shtruar në një spital në Tiranë që prej datës 30 dhjetor, ka shfaqur përkeqësime.

Sipas medias greke Protothema, Kryepeshkopi 95-vjeçar është transportuar në Athinë për mjekim të specializuar.

Raportohet se për transportimin e Janullatos në Greqi është vendosur në dispozicion një avion i Forcave Ajrore.

“Sipas informacioneve, ai do të transportohet nga një ekip i personelit mjekësor të EKAV-it, ndërsa pritet të shtrohet në spitalin “Evangelismos”,”- raporton media greke, ndërsa shkruan: “Megjithatë, gjendja e tij konsiderohet nën kontroll, ndërsa sipas raportimeve ai ka pësuar hemorragji gastrike.”

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi më 30 Dhjetor shtrimin në spital të kryepeshkopit për shkak të “një viroze sezonale”.

“Fortlumturia e tij, Kryepeshkopi i Shqipërisë, z. Anastas, u shtrua në spital pas shfaqjes së një viroze sezonale, në mënyrë që të jetë nën vëzhgimin e mjekëve.

Gjendja e tij shëndetësore është plotësisht e qëndrueshme dhe mjekët, të cilët po kujdesen për të, janë optimistë”, njofton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.